Kirurgjia endoskopike funksionale e sinuseve

Entclinic - Kirurgjia endoskopike funksionale e sinuseve

Kirurgjia endoskopike funksionale e sinuseve konsiston në ç’rrënjosjen e sëmundjeve të ndryshme të sinuseve me endoscope të posaçëm nën kontrollin e pamjes nëpërmjet hapjeve natyrale të tyre. Kjo ndërhyrje kryhet në polipozat e hundës, sinuzitet kronike, ndërlikimet e sinuziteve me abses përreth syrit, mykozat e sinuseve dhe tumoret kryesisht të karakterit beninj.

Ndërhyrja kryhet nën anestezi gjenerale dhe kohëzgjatja është në varësi të sinuseve të prekura.

Polipet e hundës janë masa tumorale beninje që në të shumtën e rasteve e marin origjinën nga sinuset dhe më pas shtrihen drejt zgavrës së hundës duke e bllokuar atë plotësisht. Shpesh ato janë pasojë e alergjisë dhe shoqërohen me astem bronkiale, infeksione të ndryshme bakteriale apo mykotike etj. Këto masa pasi dalin në hundë shkaktojnë tek i sëmuri vështirësi në frymëmarrje me hundë, sekrecione të ujshme, dhembje koke, dhe i sëmuri shpesh vuan nga sinuzitet.

Trajtimi konsiston në heqjen e tyre me anë të endoskopisë, fillimisht pastrohen të gjitha sinuset nëpërmjet hapjeve natyrale të tyre dhe më pas hiqen masat edhe në zgavrën e hundës. Ndërlikimet nga kirurgjia endoskopike janë të njëjta me kirurgjinë e hapur.

Kirurgjia endoskopike është trajtim i zgjedhur edhe në sinuzitet kronike të cilat kanë shkaqe të ndryshme. Ndërhyrja konsiston në radhë të parë në eliminimin e shkakut dhe më pas pastrohen të gjitha sinuset e prekura nga infeksioni dhe zgjerohet hapja natyrale e tyre për të siguruar drenim optimal të sekrecioneve. E njejta teknike përdoret edhe në mykozat e sinuseve dhe në ndërlikimet e sinuziteve me abses përreth syrit.